BIK-u lejon faljen e Kurban Bajramit në xhami por me disa kufizime për shkak pandemis Covid-19

Publikuar më

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se falja e Kurban Bajramit të premten do të bëhet në xhami, por me kufizime, duke marrë parasysh pandeminë COVID-19.

Sipas BIK-ut, xhemati do të jetë në xhami 10 minuta para faljes së Kurban Bajramit, që do të bëhet në ora 06:03 të mëngjesit. Ligjërata nuk do të zgjasë më tepër se dhjetë minuta, ndërsa ligjëratat e ditës së xhuma nuk do të zgjasin më tepër se pesë minuta. Është thënë se personat zyrtarë të BIK-ut dhe xhemati do t’u përmbahen me përpikmëri rekomandimeve për mbrojtje ndaj përhapjes së virusit, si dezinfektimi i duarve, mbajtja e maskave dhe distanca fizike.

Numri i besimtarëve prezentë në xhami do të jetë 50 persona, apo edhe më pak, varësisht nga hapësira e xhamisë. Nuk do të lejohen personat mbi moshën 65-vjeçare dhe ata më të ri se 16-vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike, ata që kanë simptoma të virusit apo çdokush që dyshon se mund të infektohet nga prezenca në xhami.

Po ashtu është thënë se nuk do të lejohet shfrytëzimi i tualeteve, abdeshaneve dhe banjove të përbashkëta në oborret e xhamive. Nuk duhet të ketë përshëndetje me duar. Po ashtu nuk do të lejohet grumbullimi i turmave. E po ashtu nuk do të ketë pritje për nder të Bajramit në selinë e BIK-ut, e as në selitë e këshillave lokalë.

“Për hir të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri ditëve të Kurban Bajramit”, është thënë nga BIK-u.

Komentet